Një tjetër humbje për Kastriotin, që mbetet në vendin e fundit me 5 pikë, ndërsa trajneri Ndreu pranon vështirësitë në ndërtimin e formacionit, për shkak të alternativave të pakta dhe dëmtimeve. Ai thekson se finalet e krutanëve do të jenë dy ndeshjet e radhës ndaj Skënderbeut dhe Egnatias.
“Ishte një ndeshje e nisur mirë dhe po e mbanim larg rrezikun. E kisha paralajmëruar skuadrën që të bëjë shumë kujdes, pasi kundërshtari ka shumë lojtarë cilësorë dhe nëse bën një gabim, nuk të falin.
Gjithsesi ne treguam se nuk kemi ende harmoninë e një skuadre dhe vuajmë mungesat. Megjithatë kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut dhe Egnatias, ku edhe do të vendoset fati për gjysmën e parë të kampionatit. Në ndeshjen e tyre direkte, do të doja një barazim.
Jemi e vetmja skuadër që nuk kemi qendër-mbrojtës tipik. Qoftë Karakaçi, qoftë Husein apo Kodra, janë mesfushorë, që adoptohen aty dhe në momente të caktuara sigurisht që edhe gabojnë. Kur nuk ke kontigjentin e lojtarëve, je i detyruar të bësh ndryshime të tilla. Kemi 4-5 lojtarë të dëmtuar dhe 3 të tjerë pa stërvitjen e duhur, ndaj edhe kjo shpjegon disnivelin”, tha Ndreu.