Goli i tij ka patur shumë vlera ditën e djeshme. I shënuar në minutën e 49-të, ai i ka dhënë tre pikë ekipit të Vllaznisë dhe për këtë vetë Ndriçim Shtubina- autori i tij, ndjehet i lumtur. Për më tepër që ky gol ka patur edhe një dedikim të veçantë, për Ledio Piranin, tifozin që u nda nga jeta pak ditë më parë në një aksident automobilistik bashkë me katër shokë të tjerë.

“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë megjithatë ia dolëm me sukses. Sigurisht që goli im kishte vlerat e veta por kjo fitore nuk do të arrihej nëse nuk do të kishin luajtur mirë të gjithë shokët e skuadrës dhe në veçanti nëse portieri Vujadinoviç nuk do kishte bërë ato pritje të mrekullueshme që bëri. Sa për golin, natyrisht që kemi shkuar të gjithë të gëzojmë dhe të festojmë tek fotografia e Ledios sepse ia dedikova atij. Ishte gjëja më e vogël që mund të bënim për ta kujtuar atë dhe për të lehtësuar dhimbjet e familjarëve të tij por edhe të katërt djemve të tjerë që u ndanë nga jeta në mënyrë tragjike pak ditë më parë. Unë e di mirë se çfarë do të thotë të humbasësh një njeri të afërt se pak vite më parë kam humbur babain tim dhe jo më kot vazhdoj ta kujtoj dhe t’i dedikoj atij golat që shënoj. Por këtë herë ishte për Ledion”- ka thënë njeriu i fitores ndaj të kuqve. Sa i takon tre pikëshit të marrë dhe ngjitjes në renditje, Shtubina do të thoshte: “Nuk kemi objektiv titullin kampion por do të vazhdojmë të bëjmë mirë sa më shumë të jetë e mundur dhe natyrisht që do kërkojmë të mbajmë këtë pozicion që kemi apo dhe të ngjitemi edhe më lart në renditje”.