Ndriçim Shtubina nuk e ka lënë stërvitjen në fushë, ndonëse individualisht. Ai pranon se futbolli i ka munguar shumë gjatë kësaj periudhe, ndaj po pret me padurim që kampionati të rinisë. Mesfushori nuk e mbështet faktin që ndeshjet do të luhen pa praninë e spektatorëve, ndonëse thekson se rëndësi ka që gara të startojë sa më shpejt.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari flet edhe për objektivat. Edhe pse nuk janë në pozita komode, ai e sheh Vllazninë pretendente për Kupën e Shqipërisë. “Më ka munguar shumë futbolli. Shpresoj që të kthehemi sa më shpejt në fushë. Stërvitjen nuk e kemi ndërprerë, por ajo ka qenë individuale.

Nuk është e njëjta gjë sikurse të stërvitesh me grupin, por gjithsesi na ndihmon për të ruajtur formën. Kemi një jetë që merremi me futboll dhe e kemi të vështirë të mësohemi pa të. Çdo ditë që ikën e rëndon edhe më situatën për ne”, u shpreh fillimisht mesfushori. E ka marrë malli për stërvitje, por në anën tjetër saktëson se duhet të rifitojnë sa më shpjet formën fizike: “E mira është që të fillohet sa më parë nga puna. Duhet të rifitojmë formën dhe për këtë duhet të punojmë shumë me intensitet”.

Protokolli – Nëse qeveria do të japë OK-in pas kërkesës së federatës, e sigurt është që tifozë në stadiumet nuk do të ketë. Kjo gjë sigurisht që nuk përshëndetet nga lojtarët, por në fund të fundit mjaftohen me faktin që do të zbresin në fushë. “Nuk e shoh me pozitivitet këtë gjë. Gjithsesi, rëndësi ka të fillojë sa më parë dhe ndeshjet të luhen në fushë. Situata që po kalojmë është shumë e vështirë dhe nuk na mbetet gjë tjetër përveç ta pranojmë”, u shpreh mes të tjerash 33-vjeçari.

Objektivat – Pozitat për Vllazninë nuk janë aspak të mira, e megjithatë mesfushori mendon se 10 javët e mbetura mund të ndryshojnë pozitivisht situatat. Kundërshtarët nuk i kanë marrë shumë në konsideratë, por Shtubina mendon se kjo do t’i favorizojë si në kampionat, ashtu edhe në Kupë.

“Mendoj se ekipet e tjera na nënvlerësojnë, por kjo ka pak rëndësi për ne. Ne do ta shfrytëzojmë këtë në favorin tonë. A është objektiv Kupa? Le të mos na llogarisin, por në fund do të rezultojë se gabuan. Ne e pretendojmë këtë trofe dhe me gjithë forcat tona”, përfundoi numri 10 i kuqebluve, që gjatë 26 javëve i është dashur të luajë edhe në mbrojtje e sulm.