Pas një periudhe të gjatë agonie Dinamo po jep shenja jete. Në dy sezonet e fundit skuadra ka rivalizuar denjësitsht për të qënë në pjesën e sipërme të klasifikimit në Kategorinë e Parë. Këtë edicion Vllaznia ka rezultuar një kockë e fortë, duke parë që shkodranët pothuajse ruajtën grupin që kishin edhe në Superiore, duke udhëhequr grupin A me 11 pikë më shumë se Dinamo.

Megjithatë drejtuesit e bluve të kryeqytetit kanë nisur projektin për ringritjen e skuadrës në elitë, duke i besuar në fillim emrave të shtëpisë. Artan Mërgjyshi rikthehet në atë që e konsideron shtëpinë e tij, por tashmë në rolin e drejtorit teknik.

Ish trajneri i Laçit në startin e këtij sezoni do të jetë një ndihmë më shumë për trajnerin aktual Igli Allmuca, duke vendosur eksperiencën e tij në funksion të ringritjes së Dinamos.

Ky është një tjetër sinjal që drejtuesit e klubit po mendojnë seriozisht për rikthimin skuadrës legjendë në elitën e futbollit shqiptar. Afrimet e Arjan Shetës dhe Jetmir Sefës në verë janë shoqëruar edhe me lëvizjet në rolet drejtuese, ndërkohë që po ndiqet me kujdes edhe rritja e skuadrës e cila është e mbushur me të rinj të talentuar.

Pjesa e parë e këtij edicioni është një pikënisje për Dinamon, që rikthimin në elitë e ka marë seriozisht duke nisur me konsolidimin e skuadrës për të nisur edicionin e ardhshëm sulmin për rikthimin në Superiore, aty ku mungon që nga edicioni 2011-2012.