Këshilli i FIFA-s, i cili u mblodh para Kongresit të 72-të të zakonshëm, që do të zhvillohet në Doha të Katarit, ka miratuar zyrtarisht rregulloret e reja në lidhje me huazimin e lojtarëve, që do të revolucionarizojnë tregun e transferimeve.

Risitë, të cilat bazohen në rekomandimet e Komitetit të Palëve të Interesit të FIFA-s për të lehtësuar zhvillimin e lojtarëve të rinj, promovimin e ekuilibrit konkurrues dhe parandalimin e “burgosjes” së lojtarëve nga klubet, janë miratuar dhe do të hyjnë në fuqi nga 1 korriku 2022. Ky është kuadri i ri rregullator, i cili ishte miratuar më 22 janar të kaluar nga organizmi i drejtuar nga Gianni Infantino:

– Kërkesë për një marrëveshje me shkrim, që përcakton kushtet e huazimit, veçanërisht kohëzgjatjen dhe kushtet financiare.

– Një kohëzgjatje minimale e huazimit mes dy periudhave të regjistrimit (merkatos) dhe një kohëzgjatje maksimale jo më shumë se një vit.

– Ndalimi i huazimit të një lojtari profesionist, tashmë të huazuar, në një klub të tretë (huazim mbi huazim).

– Kufizim i numrit të huazimeve në një sezon midis të njëjtave klube: një klub mund të ketë maksimumi tre lojtarë profesionistë në huazim në një klub të vetëm dhe një maksimum prej tre profesionistësh të huazuar nga një klub i vetëm.

– Kufizim të numrin të huazimeve të klubit brenda një sezoni.

Për të siguruar që kjo të zbatohet pa probleme, do të ketë një periudhë kalimtare si më poshtë:

– Nga 1 korriku 2022 deri më 30 qershor 2023, një klub mund të ketë maksimumi tetë profesionistë në huazim dhe tetë të huazuar gjatë një sezoni.

– Nga 1 korriku 2023 deri më 30 qershor 2024 zbatohet i njëjti konfigurim, por me një maksimum prej shtatë huazimesh të lojtarëve profesionistë.

– Nga 1 korriku 2024, do të zbatohet i njëjti konfigurim, por i kufizuar në një maksimum prej gjashtë profesionistësh të dhënë në huazim apo të huazuar.

* Lojtarët 21-vjeçarë ose më të rinj dhe lojtarët e formuar nga klubi do të përjashtohen nga këto kufizime.

Në nivel kombëtar, federatave të lidhura me FIFA-n do t’u jepet një periudhë trevjeçare për të zbatuar rregullat për një sistem huazimi në përputhje me parimet e vendosura ndërkombëtarisht.