Rruga drejt Evropës për Partizanin dhe Vllazninë nuk është e sigurt në kampionat dhe Kupa e Shqipërisë mund të jetë një shteg më i shpejtë për të dy këto ekipe, që kanë si objektiv pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare sezonin e ardhshëm.

Përballja e parë gjysmëfinale mes të kuqve të kryeqytetit dhe shkodranëve do të luhet në “Elbasna Arena”, në orën 17:45, e mund të përcaktojë jo pak fatin e skuadrës që do të shkojë në finalen e këtij kompeticoni.

Vllaznia, fituesja në fuqi e trofeut, synon të mos zbresë nga froni, megjithatë nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Partizanit, që e sheh si një anije për të shpëtuar sezonin fitimin e Kupës.

Trajneri Elvis Plori kërkon fitoren e parë në krye të skuadrës kuqeblu, për të lënë pas periudhën jo të mirë që po kalon skuadra, që ka marrë dy humbje radhazi, ndërsa ka regjistruar vetëm 1 fitore në 6 ndeshjet e fundit. Në tri ndeshjet e këtij sezoni, dy janë ndarë në barazim, ndërsa një përballje e ka fituar minimalisht Vllaznia.

Në 24 korrik të 2020 daton fitorja e fundit e skuadrës së Partizanit ndaj Vllaznisë, që pas asaj ndeshje ka qenë e pamposhtur në shtatë ndeshje radhazi pa ndërprerje.

Te Vllaznia i gëzohen faktit që janë rikuperuar Fjoart Jonuzi, Da Silva, Liridon Latifi dhe Ardit Hoxhaj, ndërsa kapiteni Erdenis Gurishta nuk ia ka dalë që të jetë gati për këtë takim, në diskutim është Ardit Krymi.