Lajme jo të mira për Di namon në prag të sfi dave shumë të rëndësishme me Egnatian dhe Kastriotin, vendimtare për mbijetesën pasi janë dy rivalët direktë, që ka humbur portierin Simon Simoni për shkak dëmtimi.

Lezhjani 17-vjeçar pësoi një dëmtim në gju me Shqipërinë U-21 gjatë pjesës së dytë të ndeshjes me Anglinë dhe doli nga fusha me barelë, duke alarmuar drejtuesit e Dinamos.

Një ditë më pas Simoni ka kryer rezonancën magnetike dhe ka rezultuar se dëmtimi nuk është aq i rëndë sa u mendua në fillim. Portieri i Dinamos mori një goditje të fortë në gju dhe tani, sipas burimeve të gazetës pranë klubit kryeqytetas, duhet të bëjë disa ditë pushim dhe pastaj të nisë terapinë për fazën e riaftësimit.

Parashikimi është se Simoni do të qëndrojë minimumi një muaj jashtë fushave, por gjasat janë që ta ketë mbyllur që tani sezonin. Vendin e tij do ta zërë Romeo Harizaj, i cili gjatë sezonit është alternuar në formacion me Simonin.

THESAR PËR KLUBIN – Në këtë sezon zhgënjyes për Dinamon, portieri Simon Simoni është ndër të paktat kënaqësi për drejtuesit. Ai është një zbulim i vërtetë, pasi në moshë fare të re ka mbrojtur me dinjitet portën blu dhe ka treguar një nivel të lartë. Trajneri i Shpresave, Alban Bushi, e ka aktivizuar titullar ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Në këto ndeshje 17-vjeçari ka shkëlqyer, pavarësisht humbjeve, si dhe ka qenë një vitrinë shumë e mirë për “xhevahirin” e Dinamos, për të cilin ka filluar të ketë interesim nga klubet e huaja.

Niveli sportiv dhe mbi të gjitha mosha e tij mund të joshin klube të njohura europiane për të investuar që në këtë moment dhe për ta shitur më pas me vlera më të larta. Gjasat janë që qëndrimi i Simonit te Dinamoja të mos jetë shumë i gjatë, e ardhmja e tij është jashtë vendit.