Do të luhen të mërkurën ndeshjet e javës së fundit të kampionatit, javë në të cilën Tirana do të kurorëzohet kampione e vendit. Por për Vllazninë në fakt kjo nuk do të jetë ndeshja e fundit sepse siç dihet ajo ka shkuar në play- out dhe do të luajë në “Loro Boriçi” më 5 gusht ndaj fituesit të çiftit Besëlidhja- Pogradeci.
Përpara kësaj ndeshje, kuqeblutë do të ndeshen njëherë me Flamurtarin në kuadrin e javës së 36-të të kampionatit. Ky takim ishte planifikuar të luhej të mërkurën në orën 20.45 në stadiumin “Loro Boriçi”, por nga sa mësohet, edhe me kërkesën e vetë klubit shkodran, ai do të startojë në orën 17 e 45 minuta.
Kemi të bëjmë me një përballje të parëndësishme sepse tashmë të dy ekipet I kanë mësuar verdiktet e tyre. Vlonjatët kanë siguruar rënien nga Superliga, ndërsa shkodranët kanë edhe një mundësi më shumë për të testuar veten në prag të sfidës së sezonit.
Në pamje të parë duket se trajneri Dedja do të ketë mundësinë që të testojë edhe lojtarët e rinj por në fakt nuk ka kohë sepse sfida me Flamurtarin do të jetë “prova gjenerale” ndaj ndeshjes së play-out. Shumëkush e konsideron të lehtë atë ngaqë do të luhet përballë një ekipi të kategorisë së parë, por nuk është ashtu.
Si Besëlidhja ashtu edhe Pogradeci kanë treguar vlera këtë sezon dhe përpos kësaj, kanë ndoshta edhe më shumë ambicje se futbollistët e Vllaznisë për ta fituar atë ndeshje dhe prandaj duhet marrë shumë seriozisht. Gjithmonë nëse duan që ta mbajnë këtë skuadër 101 vjeçare sërish në Superligë.