Në “Stamford Bridge” u dëgjuan vërshëllima nga sektorë të ndryshëm të tifozerisë kur Hakim Zijeh dhe Kristian Pulisiç hynë në fushë nga stoli kundër Salcburgut. Publiku i bluve të Londrës nuk kishte një opinion shumë pozitiv kur Graham Poter i hodhi dy sulmuesit në fushë me qëllim shënimin e golit të fitores.

Asnjëri nuk u preferua titullar nga trajneri i ri. Dhe ata nuk arritën të bëjnë ndryshimin e dëshiruar në fushë, me marokenin në veçanti që vuajti pavarësisht se kishte shumë hapësira.

Por “The Athletic” analizonte një ditë pas ndeshjes se zhgënjimi prej tyre u harrua prej Armando Brojës, i cili ndikoi pozitivisht në ndeshjen e Çelsit, pasi hyri në fushë në vend të Obamejangut në minutën e 66-të.

Sulmuesi shqiptar krijoi një mundësi të artë shënimi për Zijehun në trekëndëshin fantastik që mbylli me Sterling dhe në shtesë shpërdoroi shansin më të mirë kur Gallager i dhuroi një asist në qendër të zonës, por goditja e sulmuesit përfundoi mbi traversë.

“Me siguri ai është favorit për të nisur titullar përpara Obamejangut kur Premier Liga të rinisë në tetor”, shkruante “The Athletic”.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare ndihmoi në tranzicionin e skuadrës dhe i dha një tjetër marsh sulmit të bluve të Londrës. Haverc dhe Auba, të cilët ishin titullarë në sulm, nuk dhanë rezultatet e pritshme së bashku, me gabonezin që u kritikua për paraqitjen e tij.

Por ylli i mbrëmjes ishte padyshim Rahim Sterling, i cili shkëlqeu në rolin special që Poter i dha në krahun e majtë nga mbrojtja deri në sulm. Ndaj Salcburgut u kuptuan vetëm sinjalet e para të asaj që pritet të bëjë Poter në “Stamford Bridge”.

Dhe në mekanizmat e lojës së tij, Broja pritet të ketë një rol më të rëndësishëm se sa me trajnerin Tuhel.

“Në vetëm 20 minuta ai eklipsoi si Havercin ashtu dhe Obamejangun”, shkruante “90min. com”. “Dhe sulmuesi që sapo ka firmosur një kontrate të re afatgjatë, mund të mos presë edhe aq gjatë për të qenë titullar në rast se vazhdon të eklipsojë shokët e skuadrës”.