Humbja ndaj Realit dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve ka hapur skenarë të tjerë në Paris. Presidenti Al Kelaifi po mendon të bëjë revolucion në skuadër, teksa mediat argjentinase kanë hedhur dyshimet e para mbi të ardhmen e Leo Mesit në klubin francez.

Pas një sezoni që deri më tani ka qenë jo bindës për Mesin te PSG-ja, në vendlindjen e tij kanë ngritur pikëpyetje nëse ai do të vijojë edhe në sezonin e ardhshëm në kryeqytetin e Francës.

Transferimi i Leo Mesit nga Barcelona te PSGja ishte basti më i madh i Al Kelaifit në përpjekjet e tij për të sjellë Ligën e Kampioneve në Paris. Por as Mesi nuk i ka mjaftuar Parisit për të shmangur një tjetër turpërim në Europë.

Sipas gazetës “Clarin”, eliminimi i së mërkurës ka qenë një nga goditjet më të mëdha për Leo Mesin, i cili seriozisht po mendon për të ardhmen e tij në Paris. Lajmi se “Pleshti” mund të lërë PSG-në në verë ka vënë në lëvizje edhe Barcelonën që është gati ta kthejë argjentinasin në skuadër.