Kristiano Ronaldo vazhdon të përbëjë lajm sa herë që emri i tij lakohet në media. Nuk mund të mungonte as këtë herë. I mbetur pa skuadër që nga prishja e kontratës së tij me Mançester Junajtidin, portugezi gjithnjë e më shumë duket i lidhur me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, ku flitet se klubi Al Nasr i ka premtuar një kontratë përtej imagjinatës.

Janë rreth 200 milionë euro në sezon ose 1 miliard euro gjithçka, duke llogaritur dhe rolin e tij si ambasador i këtij vendi në përpjekjet e Arabisë Saudite për të organizuar kampionatin botëror në vitin 2030 së bashku me Egjiptin dhe Greqinë! Por ndërsa në Arabi e shohin gjithnjë e më afër Kristiano Ronaldon, nga Anglia ka ardhur “shashka” e radhës në lidhje me 37-vjeçarin. Ka qenë tabloidi anglez “The Sun” që siguron se Reali i Madridit ka vendosur t’i bëjë një ofertë Kristiano Ronaldos në mënyrë që “Bisha” të veshë sërish fanellën e bardhë të Realit të Madridit.

Propozimi i “Los Blancos” – gjithnjë sipas informacioneve të sipërpërmendura nga gazeta britanike – do të ishte ekonomikisht më i ulët se pritshmëritë e yllit portugez. “The Sun” pretendon se Kristiano Ronaldo ka kërkuar pak kohë për të vendosur nëse do të pranojë ose jo ofertën e Realit të Madridit. Përveç kësaj, “The Sun” thekson se Madridi mendohet t’ia ketë bërë të qartë Kristianos se ai nuk do ta ketë të garantuar vendin e titullarit.

KTHIMI, GATI I PAMUNDUR – I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Spanja në lidhje me lajmet më të fundit për një interesim të Madridit në adresë të Ronaldos. Sipas mediave spanjolle, pranë klubit madrilen, presidenti Perez, pavarësisht se ruan marrëdhënie të shkëlqyera me portugezin, nuk duket i predispozuar për të kthyer lojtarin në ekip. Nderi i vetëm që ai i bëri Ronaldos ishte ta lejonte të stërvitej në qendrën stërvitore të Realit, por pa pasur kontakte me pjesën tjetër të ekipit.