Në Shqipëri jemi mësuar që sa herë të kemi mungesë rezultatesh në Europë, si arsyeja kryesore të përmendet mungesa e eksperiencës në këtë arenë.

Por çfarë mund të thuhet për rastin e ekipit belg, Royal Union? Këta të fundit u kthyen në sezonin e shkuar në elitën e Belgjikës pas 48 vitesh.

Me një stadium 9000 vëndësh, kjo skuadër bëri historinë duke marrë vendin e parë të kampionatit pas mbylljes së rregullt të ndeshjeve. Fatkeqësisht nuk do të kurorëzoheshin për shkakun e formatit që përdor Belgjika, ku u zhvilluan edhe disa takime shtesë mes vendeve të para, teksa Royal e mbylli përfundimisht në vendin e dytë.

Pas 48 vitesh mungese në elitë dhe njëkohësisht në Europë, Royal është duke bërë udhëtim të mahnitshëm në Champions League. Kjo skuadër është shumë afër fazës së grupeve pasi mundën sot 2-0 Rangers në turin e tretë të Champions League, një kundërshtar ky që në sezonin e shkuar ishte në finalen e Europa League.