Eros Grezda bëri një hap të rëndësishëm në karrierën e tij gjatë verës së këtij viti, teksa kaloi nga Osijeku në Kroaci te Rangers në Skoci. Edhe pse gjatë kohës së transferimit ishte ende në fazë rikuperimi, Grezda kishte imponuar besim te trajneri i Rangers, Steven Gerrard, i cili këmbnguli që shqiptari të transferohej te skuadra e tij.

Deri më tani gjërat kanë shkuar përgjithësisht mirë, edhe pse sulmuesi i krahut i kombëtares shqiptare, po i duhet dhe pak kohë për tu përshtatur. Herë me lavde e herë me kritika, Grezda gjithsesi po tërheq vëmendjen të lartë në Skoci. Mediat kanë shkruar shpeshmazi për të, ndërsa sot, “Rangersnews.uk”, në një artikull i tregon dhe “modelin” që Grezda duhet të ndjekë për të pasur sukses.

As më shumë e as më pak, por “rivali” i tij direkt në pozicionin që luan Grezda, është modeli që ai duhet të ndjekë. Daniel Candeias, 30-vjeçari portugez është shembulli më i mirë për Grezdën. “Shfaqet e Candeias janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Një arsye kryesore për këtë, është se ai jep gjithmonë 100%.

Ai ka sjellë vazhdimisht një produkt përfundimtar në lojën e tij. 30-vjeçari ka shënuar katër gola këtë sezon, të gjithë të rëndësishëm. Grezda ka nevojë për qëndrueshmëri dhe produkt përfundimtar. Ai është lojtari, që Grezda duhet të synojë të bëhet”-shkruan “Rangersnews.uk”./telesport/