Rinovimi i Nejmar pa përfunduar sezoni duket se ka tronditur shumë ambientin te Barcelona. Katalanasit kishin kaluar muajin e fundit duke shpresuar në një rikthim të tij në Katalonjë dhe për të gjithë, lajmi se ai kishte firmosur për katër vite të tjera ishte një e papritur e madhe.
Në mediat spanjolle flitet për një zhgënjim absolut në radhët e klubit pasi përtej faktit që nuk do të mund të futen në garë për lojtarin, tani atyre u duket sikur Nejmar i ka shfrytëzuar për të siguruar një rinovim afatgjatë me PSG duke përfituar financiarisht pasi kontrata e tij është përmirësuar.
Barcelona prej një muaji kishte nisur kontaktet direke me lojtarin dhe me klubin francez e dukej sikur Nejmar ishte gati të kthehej, aq sa parimisht u kishte dhënë edhe fjalën katalanasve se mund të ulte pretendimet financiare për ta bërë të mundur këtë gjë.
Por atëherë kur nuk pritej, erdhi edhe vendimi për të rinovuar, i zyrtarizuar shumë shpejt, duke bërë që te Barcelona të mbeten me duar bosh në atë që ishte objektivi kryesor i merkatos për këtë verë. /vipsport/