Premtimi i bërë dy ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, natyrisht që ka bërë në opinionin sportiv shkodran. Tom Doshi është nga njerëzit që zakonisht i mban premtimet e bëra por shumëkush mendoi se premtimi i fundit që kishte lidhje me Vllazninë ishte thjesht për efekt elektoral. Por duket se nuk ka qenë kështu. Sot, në një konferencë për shtyp të dhënë prej tij, pas zyrtarizimit si deputet edhe në parlamentin e ardhshëm, Doshi është ndalur sërish tek çështja e futbollit.
“Premtimin që kam bërë për Vllazninë ju siguroj se do ta mbaj”- është shprehur ai. I pyetur nëse i intereson posti i presidentit të klubit, deputeti i sapozgjedhur është përgjigjur: “Mua s’më intereson të bëhem president sepse nuk vuaj për të tilla gjëra. Më intereson vetëm të hedh lekë e të ndihmoj Vllazninë”. Gazetarët e kanë ngacmuar më tej në konferencën e sotme për shtyp duke e pyetur nëse do ta shpallte kampion këtë ekip që në sezonin e parë, gjithnjë nëse bëhet kjo gjë? Përgjigja e tij ka qenë diplomatike kur ka thënë: “Personalisht nuk marr vesh shumë prej futbollit por me logjikën time kjo gjë mund të mos arrihet që në sezonin e parë sepse një skuadër që është në prag të greminës nuk mund të shndërrohet aq lehtë në kampione. E rëndësishme do të ishte që ajo të ishte ndër ekipet kryesore të vendit ashtu siç ka qenë gjithmonë”. Tani mbetet të presim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme.
© shkodrasport.com