Granit Xhaka mund të bëhet një futbollist i Interit gjatë verës. Për këtë janë të bindur në Zvicër, ku edhe televizioni kombëtar RSI ka folur për këtë temë, duke theksuar se si mesfushori mund t’i japë lamtumirën Arsenalit ku nuk vlerësohet shumë nga tifozët.
Në fakt, zërat për interesimin e Interit qarkullonin prej disa muajsh, por situata ka ndryshuar në mënyrë shumë të shpejtë në ditët e fundit, pasi klubi italian ka emëruar trajnerin Antonio Konte dhe bashkë me të ka ndërtuar edhe strategjinë e merkatos për të ardhmen.
Kësisoj, pritet që në ditët në vijim të ketë diçka më konkret sa u përket bisedimeve mes palëve, ndërsa edhe vetë lojtari nuk do të ishte kundër.
Sipas televizionit zviceran, Xhaka nuk e ka hedhur poshtë këtë hipotezë nga grumbullim i kombëtares, duke lënë gjithçka të hapur, gjë që sipas zviceranëve e bën mëse të mundshëm transferimin në Serinë A të futbollistit.
Me fanellën zikaltër më parë ka luajtur edhe Xherdan Shaqiri, por eksperienca e këtij të fundit te Interi nuk ishte ndër më të suksesshmet dhe ai u largua më pas drejt Anglisë. /vipsport/