Fitorja mbrëmjen e djeshme ndaj Tiranës sigurisht që e ka entuziasmuar trajnerin e Vllaznisë Bledar Gjeçaj. Pikërisht ndaj këtij kundërshtari, skuadra e tij humbi në gjysmëfinalen e kupës duke i hequr vetes mundësinë e fitores së këtij trofeu. Por në gjysmëfinalen e parë të kampionatit, ishte tjetër histori dhe në takimin e luajtur në “Qazim Dervishi” vendasit fituan 81-63. Njeriu i pankinës shkodrane duke folur për www.shkodrasport.com në lidhje me këtë sukses të parë ka thënë: “Besoj se e merituam fitoren.

E kontrolluam lojën nga fillimi e deri në fund dhe ndonëse në momente të veçanta skuadra lëshoi disi duke i dhënë mundësinë kundërshtarit të ofrohej, në pjesën e dytë gjërat morën rrjedhë tjetër. Falë edhe saktësisë në gjuajtje të Berdicës apo dhe depërtimeve të sakta të Allen, krijuam epërsinë e duhur për të marrë fitoren e parë në gjysmëfinale. E pranoj se kemi hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales por në fakt asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të bëjmë shumë kujdes në ndeshjen e dytë në Tiranë ku do të shkojmë me objektivin për të fituar edhe atje në mënyrë që të mos i lëmë gjërat për ndeshjen e tretë”. Pavarësisht se nuk e pranon, trajneri i kuqebluve është i mendimit se finalja është shumë pranë gjithsesi ai lë çdo gjë të hapur kur shton: “Ky kampionat e kam thënë dhe vazhdoj ta them se është më i bukuri i këtyre viteve të fundit dhe askush nuk mund të thotë se cila skuadër do të dalë kampione. Teuta siç e shikoni fiton në Kamëz dhe nuk përjashtohet mundësia që në finale të jemi ne dhe Teuta por nuk është çudi të jetë edhe Vllaznia kundër Kamzës apo Tirana kundër Teutës e Kamzës. Duhet bërë shumë kujdes dhe prandaj llogaritë bëhen pas çdo ndeshje të luajtur, jo më larg”. Prej disa javësh, lojtari më në formë i kuqebluve është amerikani Allen Corey i cili është në shumë ndeshje edhe pikashënuesi më i mirë i saj. I pyetur rreth këtij lojtari, Gjeçaj ka thënë: “Allen po tregon ato vlera për të cilat ne e kemi ofruar tek Vllaznia. Ai hyn tek ato sportistë që do kohën e vet të përshtatet me ekipin e tij të ri dhe kështu i ndodhi edhe këtij basketbollisti por mendoj se tashmë po jep kontributin e tij maksimal për skuadrën”.

© shkodrasport.com