Ndeshja e nesërme ndaj Tiranës konsiderohet shumë e rëndësishme në kampin shkodran sepse kuqebluve u duhet edhe një pikë të paktën për të qenë të qetë 90 minuta përpara fundit të kampionatit. Për këtë arsye, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, malazezi Aleksandar Madzar, në një prononcim për mediat, madje e ka konsideruar këtë takim si përballjen e sezonit kur ka thënë: “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Madje, do ta quaja ndeshjen e sezonit. Jemi përgatitur mirë gjatë gjithë javës dhe ndonëse kemi problemin e Shtubinës, objektivi jonë nuk ndryshon.

Do të luajmë për të marrë pikë. Në skuadër ka atmosferë dhe besim prandaj shpresoj t’ia dalim mbanë”. I pyetur se sa do të ndikojë mungesa e sulmuesit dhe njëkohësisht e kapitenit Shtubina në këtë takim, krahu i djathtë i Cungut është shprehur: “Kuptohet që një mungesë e tillë është e rëndësishme për ne sepse dihet roli i tij në skuadër dhe për më tepër që në sulm nuk kemi shumë alternativa. Megjithatë shpresojmë që ai i cili do të luajë në vendin e tij të bëj më të mirën e mundshme për skuadrën”. Ish- sulmuesi i Tivarit, ka rreth 5 muaj që po punon në Shqipëri në stafin e Vllaznisë dhe i pyetur në lidhje me nivelin e kampionatit këtu, ai do shprehej: “Vërej se ka një nivel të kënaqshëm dhe besoj se nga viti në vit ai po vjen duke u rritur. Si tek Vllaznia ashtu edhe tek ekipet e tjera, ka të rinj me të ardhme të cilëve u duhet kushtuar pak më shumë vëmendje sepse premtojnë shumë”. Ndërkohë, kontratës së tij aktuale po i vjen fundit dhe i pyetur nëse ka dëshirë të vazhdojë të punojë tek Vllaznia, Madzar, do të përgjigjej: “Dëshira është të vazhdoj të punoj sërish këtu. Jam i kënaqur me ambjentin, me skuadrën, drejtuesit dhe gjithçka. Por të sigurojmë mbijetesën njëherë në këtë sezon dhe ta mbyllim atë, më pas do të bisedojmë. Kuptohet duke parë se çfarë projekti ka klubi për të ardhmen”

© shkodrasport.com