Në vend që të gëzohen për një mbyllje të mirë të këtij sezoni (ndonëse matematikisht ende nuk është arritur objekti final), tek Vllaznia kanë filluar të shqetësohen për të ardhmen. Deri më tani nuk ka ende ndonjë sinjal për ndryshim të situatës për sezonin e ardhshëm dhe madje edhe buxheti i miratuar, nuk mjafton për të bërë diçka ndryshe. Ndonëse flitet për afrimin e ndonjë donatori, sërish nuk ka gjë konkrete, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të kryebashkiakes Ademi. Në këtë situatë, për ta trazuar edhe më tepër atë, ka “menduar” trajneri Armando Cungu. Në një prononcim për mediat, ai është shprehur: “Plani im ka qenë që këtë sezon të mbijetojmë dhe më pas gradualisht të nisim të mendonim për sezonin tjetër. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Sezonin tjetër duhet që mbijetesa mos të diskutohet. Të kërkojmë mesin e artë të renditjes. Më pas, nëse arrijmë diçka më tepër, do të ishte shumë mirë. Edhe vitet e tjera e kemi nisur për në Kupat e Europës dhe kemi përfunduar duke luftuar për mbijetesë.Shpresoj ky të jetë viti i fundit. Do të shoh edhe vetë mundësitë e mia. Nuk mund të pretendoj dhe nuk mund të pranoj më një Vllazni për mbijetesë. Aq më tepër që kam investuar shumë edhe për emrin tim e nuk më ka dhuruar askush asgjë. Kam kaluar 4 muaj shumë të trazuara, me shumë stres, me shumë presion, dhe në këto kushte nuk do t’ia lejoj vetes të punoj me këtë stres dhe këtë presion”. Se çfarë do të ndodhë më tej, ende askush nuk mund ta thotë me siguri. Armando Cungu la Laçin në fund të dhjetorit për të ardhur tek Vllaznia e për të nisur një projekt afat-gjatë por në fakt ende nuk ka sinjale se mund të bëhet diçka ndryshe. Pavarësisht “kushtrimit” të trajnerit, e sigurtë duket se drejtuesit e klubit dhe veçanërisht kryebashkiakja Ademi nuk do ta lënë të largohet kollaj nga drejtimin i skuadrës.

© shkodrasport.com