Ne futbollin shqiptar, çfare nuk degjon. Me e fundit eshte ajo se nje futbollist i ri per t’u stervitur tek Kukesi, duhej te paguante 2 mije euro. Nje deklarate te tille e ka bere ish- trajneri i tij Diego Longo.
Ne nje prononcim te dhene per “Panorama Sport” italiani ka folur rreth eksperiencës në futbollin shqiptar. Por ai nuk është dakord me deklaratat e Gjicit, që në klubin e Kukësit ka pasur dallaveraxhinj, teksa ka qenë vetë italiani që ia ka bërë të ditur këta njerëz.
Në fund, ai zbulon edhe ngjarje tronditëse, teksa paguheshin deri në 2 mijë euro që një lojtar i ri të stërvitej në ekipin e parë dhe, sipas tij, kjo ishte absolutisht e papranueshme, duke bërë që të kishte shumë armiq në klub. Në fund ai lë të hapur çdo mundësi rikthimi në futbollin shqiptar, edhe pse vetëm pak ekipe plotësojnë kushtet e tij.
“Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona.
Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp. E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar. Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë.
Persona që gjatë sezonit më kanë sulmuar mua dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur për interesa krejtësisht personale dhe dashakeqe. Menaxhimi që iu bë disa prej blerjeve të fundit ishte një tjetër arsye e madhe për t’u shkëputur me një pjesë e mjedisit, por për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të shihem në pasqyrë pa pasur turp nga vetja. Nëse unë punoj për dikë, atëherë bëj të pamundurën për interesat e tij dhe nuk mundem kurrë ta dëmtoj për përfitime të miat personale. Ndoshta kjo nuk u kuptua si duhet nga presidenti”.