Kastrioti vijon të përgatitet për ndeshjen e së dielës ndaj Teutës, që do të luhet në orën 13:45 në Kamzë. Mungesë e sigurt për këtë ndeshje është mesfushori Arbër Basha për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë.

Në dyshim është edhe mesfushori Donald Mëllugja, i cili vjen pas dëmtimit. Atmosfera në skuadër është e qetë, ndërsa lëvizjet në merkato janë me pikatore.

Aktualisht, krutanët kanë kryer vetëm tri lëvizje, atë të vëllezërve Selmani dhe huazimin e Kainës nga Vllaznia.

Mirëpo, vijon të jetë në provë irakiani me nënshtetësi amerikane, Jusuf Zetuna, ndërsa së fundmi është shfaqur në stërvitje edhe mesfushori Xhoi Hajdëraj.

Ky i fundit ka qenë pjesë e Kukësit në këto 15 javë kampionat, ndërsa mungesa e hapësirave te verilindorët, ka bërë që lojtari t’i bashkohet Kastriotit, ku shpreson të marrë më shumë minuta.

Gjithsesi, mbetet të shihet nëse stafi teknik do të jetë i bindur për ta mbajtur 21-vjeçarin, i cili krahas Kukësit, ka luajtur edhe me Orikun e Besën në Kategorinë e Parë.

Sakaq, burime afër klubit tregojnë për gazetën se po negociohet me dy skuadra në elitë për të huazuar dy lojtarë te krutanët, por emrat preferohet të mbahen sekret, për shkak se ende nuk janë mbyllur marrëveshjet.