Ylli brazilian i PSG-së, Nejmar, çuditi të gjithë pak ditë më parë teksa bëri të qartë se në fundin e karrierës kishte si synim që të shkonte të luante në MLS.

Ai nuk foli për oferta konkrete, por tha se do të ishte i lumtur të luante atje pasi kalendari i aktiviteteve ishte më i shkurtër. “Kështu do të kemi 3-4 muaj pushime”, theksoi ai.

Deklarata të cilat në SHBA i kanë interpretuar si një nënvlerësim të cilësisë së kampionatit të tyre dhe kanë bërë që qartë se nuk do të preferonin futbollistë që vinin me këtë mendje.

Shefi Ekzekutiv i MLS-së, Don Garber, bëri të qartë për ESPN se nuk preferonte tipa të tillë në kampionatin e tij.

”Nuk kemi nevojë që të marrim një lojtar të madh në fundin e karrierës së tij pasi ka vendosur që të vijë dhe të tërhiqet në MLS.

Nëse këta lojtarë nuk vijnë të luajnë dhe të japin një kontribut të rëndësishëm për ekipet e tyre, atëherë të mos vijnë. Nëse nuk e respektojnë ligën dhe tifozët, nuk i duam.

Në dëshirojmë që historia jonë të jetë me lojtarë të rinj që vijnë këtu në hapat e parë ose në kulmin e karrierës së tyre dhe e bëjnë këtë kampionatin më të preferuar.

Kur Zlatan Ibrahimoviç u largua nga MLS, askush nuk tha se po shkonte të tërhiqej nga futbolli në Itali, dhe të them të drejtën, kjo ishte një fyerje për ne”, tha Gerber.