Nelson Hysa do të luftojë të shtunën në mbrëmje për titullin WBC, për peshat e rënda. Boksieri shkodran do të kërkojë triumfin në parkun olimpik “Feti Borova” ndaj bjellorusit Viktar Chvarkou. Për SuperSport/Digitalb, Hysa tregon se ky event, që organizohet nga “BS Boxing”, është më i forti që është organizuar ndonjëherë në vendin tonë.
“Është një nga organizimet ose organizimi më i mirë i boksit profesionist shqiptar. Vijnë emrat nga më të fortët në botë, nga të gjitha peshat. Çunat që kemi zgjedhur për të marrë pjesë në këtë event janë më të fortët dhe me më shumë tituj në Shqipëri. Është aktiviteti më i fortë i organizuar e do të jetë dhe për shumë kohë“.
8 boksierë të pamposhtur do të zbresin në ring për të dueluar në sfida që nuk do të harrohen nga publiku shqiptar. Kampioni kuqezi është besimplotë se të gjithë sportistët kanë potencialin për të regjistruar rezultate pozitive.
“Ka shumë arsye pse nuk duhet humbur ky aktivitet. Do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, janë çunat më të talentuar, për të vijuar më tej me çunat e afirmuar. Nurja pret kampionin e Kolumbisë, do të boksojë për vendin e 20-të në botë.
Alban Bërmeta për titullin WBC, Kajoshi po ashtu ka ndeshje shumë të fortë. Amar Koçi, Klajdi Tema janë emra të zgjedhur me kujdes nga organizatorët, që ky aktivitet të jetë i kuruar si nga ana e boksit dhe nga ana e fair-playt“.
Sa i takon kundërshtarit, 39-vjeçari ia bën të qartë mesazhin bjellorusit, duke deklaruar se përballë do të kenë një nga rivalët më të fortë që ka dueluar ndonjëherë.
“Është një sfidë që dhe unë e pres me shumë dëshirë. Jemi stërvitur mirë, kundërshtari ka fituar tri ndeshjet e fundit me KO, është një nga më të mirët në Europë. Më pret një sfidë shumë e fortë, por atë e pret një ndeshje akoma më e fortë në Shqipëri.
Do jetë një ndeshje të vështirë, por nëse ai është në formë të mirë, kundërshtari i tij është në formë dhe më të mirë“, u shpreh Nelson Hysa.