Barcelona vazhdon të marshojë në La Liga, teksa të dielën në mbrëmje ka mundur Kadizin. Objektivi i radhës për skuadrën e drejtuar nga Çavi është Europa. Të enjten në mbrëmje katalanasit bëjnë vizitë në “Old Trafford’ për t’u përballur me Mançester Junajtidin në takimin e kthimit në “play off” në Ligën e Europës.

Trajneri i Barcelonës ka nisur të mendojë si të përgatisë surprizën ndaj Junajtidit. Me takimin e vajtjes në “Camp Nou” të mbyllur në barazim, fati i kualifikimit do të vendoset në kalanë e “Djajve të Kuq”, dhe Çavi po bluan në mendje rrugët për t’ia arritur.

Çavi është kushtëzuar në zgjedhjet e tij nga zhvillimet më të fundit në skuadër me dëmtimet e Busketsit, Dembelesë dhe së fundmi Pedrit, tri pjesë themelore në projektin e tij sportiv.

Kundër Kadizit, trajneri i Barçës bëri rrotacion duke u dhënë shansin lojtarëve si Ferran Torres, Erik Garcia ose Serxhi Roberto, të cilët shihen si linja të dyta nga Çavi, por që i kanë përmbushur pritshmëritë e tyre.

Si në formacionin fillestar ndaj Kadizit, ashtu edhe në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Barçës dha disa të dhëna për njëmbëdhjetë futbollistët që mund të jenë titullarë të enjten në “Old Trafford”.

Ronald Arauho, Frank Kesi dhe Rafinja, që e nisën nga stoli, pritet të jenë titullarë. Po ashtu dhe De Jong e Levandovski, të cilët u zëvendësuan shumë shpejt nga Çavi kundër Kadizit, teksa Barça kryesonte 2-0.

Nga ana tjetër Kunde, i cili luajti 90 minutat kundër Kadizit do të jetë titullar edhe në Mançester, parë mungesën e një mbrojtësi të djathtë natyral në skuadër. Kristensen dhe Ter Shtegen janë të paprekshëm gjithashtu.

MBROJTJA – Në “Old Trafford”, Çavi mund të mbështetet gjithashtu te mbrojtja, që ka ofruar garanci maksimale në këtë sezon pavarësisht ndryshimeve të shumta të Çavit.

Kundër Kadizit, tekniku “Blaugrana” provoi rreshtimin e 26-të ndryshe në mbrojtje në 34 takime në këtë sezon. Ky stabilitet, pavarësisht lëvizjeve, mund të përdoret nga Ksavi në “Old Trafford”.