Nuk është hera e parë që ankohet për kalendarin dhe për ndeshjet shumë të ngjeshura në kampionatin anglez. Edhe një herë tjetër Jyrgen Klop rikthehet të flasë në lidhje me këtë temë përpara finales së madhe të Botërorit të Klubeve, që do të luhet sot në 18:30 mes Flamengos dhe Liverpulit.jurgen klop

Trajneri gjerman thotë se ka një ndryshim shumë të madh mes brazilianëve dhe anglezëve në këtë sfidë, pasi në rast fitoreje ata do të rikthehen si heronj dhe do të festojnë me birra, ndërsa Liverpuli duhet të mendojë për sfidën e ardhshme kundër Leistërit. “Në Brazil i kanë vënë një mision të qartë Flamengos. Ata të gjithë duan që ta fitojnë këtë kupë dhe të rikthehen në vendin e tyre si heronj. Do të bëjnë festë madhështore me birra.

Do të më pëlqente dhe mua, por jo. Ne duhet thjesht të mendojmë për sfidën e ardhshme në kampionat kundër Leistërit. Madje, ka nga ata që kërkonin që të ishim ende në Angli për të luajtur Kupën e Ligës. Kjo nuk ka rëndësi, pasi do të japim maksimumin në fushë për të fituar dhe do të jetë një sfidë e barabartë”, tha fillimisht trajneri i Liverpulit.

TË PËRQENDRUAR

Gjermani vazhdon më tej dhe bën apel që skuadra e tij të qëndrojë e fokusuar në të tashmen, por mendon se pas fitores së këtij trofeu nuk do të quhen legjenda. “Kur të flas me skuadrën, nuk do t’i them që fitorja e këtij trofeu i bën legjenda. Sigurisht që ata do të konsiderohen të tillë në fundin e karrierës, por kur je lojtar, nuk ke kohë për të menduar për të tilla gjëra.

Për momentin për ne është kompeticioni më i rëndësishëm dhe mendimet duhet të jenë vetëm për ta fituar atë. Më vjen keq që nuk jemi të barabartë pas sfidës, sepse Flamengo mund të bëjë festë, ndërsa ne jo”, shtoi më tej Klop.Klop

FRIKA

Ai është i vetëdijshëm për forcën që ka Liverpuli, por thotë se këtë gjë duhet ta tregojë në fushën e lojës. “Ne jemi kampionët e Europës dhe duhet të tregojmë superioritet në fushën e lojës. Duam dhe gjithashtu ta fitojmë, por duke i respektuar kundërshtarët.

Me Flamengon thuajse e nisim ndeshjen si të barabartë, sepse ata kanë futbollistë të shkëlqyer si Gabigol dhe Bruno Henrike. Të shohim çfarë do të thotë fusha e lojës, por duhet të jemi të vendosur dhe të përqendruar për të fituar. Nuk ka ndeshje të lehta”, përfundoi ai.