Vllaznia në futboll për femra mund të kurorëzohet kampione e Shqipërisë që prej pasdites të së shtunës, dy javë para fundit të kampionatit. Vajzave kuqeblu do t’i mjaftojë fitorja në takimin e rradhës ndaj Apolonisë për të siguruar edhe matematikisht titullin, ndonëse fitimi i tij duket punë e kryer.

Ndeshja në mes këtyre dy ekipeve do të luhet të shtunën në orën 18.00 në Fier. Drejtuesit e Apolonisë dhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit, i kanë kushtuar një rëndësi të madhe kësaj përballje dhe për këtë arsye, ajo do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe pritet me interes nga të dy ekipet.

Kuptohet që më të motivuara duken vajzat fierake të cilat kanë dëshirë të rihapin garën për titullin kampion duke e ngushtuar diferencën nga 5 pikë që është aktualisht në 2. Përpos kësaj, në rast fitoreje të Apolonisë, ajo do të bëhej skuadra e parë që do ta mundte Vllazninë në këto shtatë vite ekzistence të saj.

Megjithatë, nuk do ta ketë të lehtë për ta arritur. Ecuria e ekipit shkodran edhe në këtë kampionat ka qenë e shkëlqyer deri më tani. Ai i ka fituar të 15 ndeshjet e luajtura ndërkohë që ka edhe një golaverazh fantastik, prej 154 golash të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Kuptohet që edhe përballë Apolonisë, rivalit të saj kryesor, Vllaznia do të synojë fitoren, ndonëse i bën punë edhe barazimi megjithatë ky ekip gjithçka është ndërtuar për të qenë fitues dhe për të mos e diskutuar fitoren edhe në këtë përballje.

Presidenti Lazer Matija ka nisur të mendojë që tani për Ligën e Kampioneve dhe këtë e tregon edhe fakti që ka nisur përforcimet, e këtë e tregon edhe ardhja e kinezes Wai, megjithatë për momentin të gjithë janë të fokusuar tek mbyllja e këtij sezoni dhe fitimi i titullit të shtatë kampion dhe po ashtu edhe tek fitimi i Kupës së 7-të të Republikës.
www.shkodrasport.com