Java e parafundit e fazës së parë të kampionatit në basketboll për meshkuj do dhurojë një sfidë shumë interesante, atë Vllaznia- Kamza Basket. Kjo ndeshje do të luhet të shtunën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe mendohet të ndiqet me interes edhe nga ana e sportdashësve pasi është një përballje që gjithmonë ka dhuruar emocione. Faza e parë e kampionatit është në prag të mbylljes dhe natyrisht që rezultati i kësaj ndeshje do të përcaktojë jo pak gjëra, kryesisht për vendin e tretë në renditje. Vllaznia vjen në këtë takim me një gjendje psikologjike më të mirë sepse fitorja e fundit ndaj Ardhmërisë, ka rritur moralin e sportistëve. Po ashtu, edhe ardhja e Julian Hamatit nga ekipi i Kamzës, konsiderohet pozitiv. Ky sportist do të debutojë nesër pikërisht ndaj ish- skuadrës së tij dhe për të kuptohet që do të ketë emocione megjithatë ai tashmë është basketbollist i Vllaznisë dhe ka filluar të japë më të mirën për të. Madje, edhe në ndeshjen ndaj Ardhmërisë, ka treguar një formë të mirë sportive duke qenë edhe pikëshënuesi kryesor i kuqebluve.  Faza e parë e kampionatit mbyllet javën e ardhshme dhe shkodranët do të luajnë pikërisht në Durrës ndaj Teutës, ekip ky që ka pretendimet e veta për titullin kampion.Trajneri i ekipit shkodran Bledar Gjeçaj kuptohet që dëshiron ta mbyllë me dy fitore këtë vit dhe ndonëse në pamje të parë duket e vështirë, nuk është e pamundur.
© shkodrasport.com