Ditën e nesërme do të zhvillohet në Shkodër një turne ndërkombëtar në sportin e xhudos. Ai është emërtuar turneu “Nënë Tereza” dhe zhvillohet edhe në kuadër të vizitës së Papës në vendin tonë. Në këtë turne do të marrin pjesë sportistë nga 6 vende të Rajonit dhe pikërisht nga Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Zhvillimi i tij ishte menduar të bëhej në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” por për shkak të mospërfundimit të rikonstruksionit të tij, aktiviteti do të zhvillohet në palestrën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Turneu do të jetë i hapur për shumë mosha, duke filluar nga U-12 dhe duke përfunduar me të rriturit.

Ai do të nisë në orën 11.00 dhe pritet të shoqërohet nga një rivalitet i fortë mes sportistëve pjesmarrës. Organizatori i këtij turneu, i mirënjohuri Anton Shkoza, duke folur për gazetën shkodrasport.com ka thënë: “Mendoj se do jetë një turne i nivelit të lartë sepse marrin pjesë në të sportistë cilësorë. Ai zhvillohet në kuadrin e vizitës së Papës Françesk në vendin tonë dhe besoj se ka për të dhuruar jo pak emocione për të gjithë të pranishmit”. Ekipet mbërrijnë pasditen e sotme në Shkodër dhe në orën 20.00 ështëplanifikuar darka zyrtare për të gjithë miqtë ku pritet të marrin pjesë edhe disa personalitete të qytetit të Shkodrës.
Gjergj KOLA