Federata Shqiptare e Çiklizmit ka përcaktuar trofeun “Tirana” si aktivitetin e parë zyrtar për vitin 2019. Një aktivitet që do të zhvillohet ditën e mërkurë në kryeqytet dhe në të cilin do të marrin pjesë sportistët e të gjithë ekipeve të vendit. Ndër to padiskutim që do jenë pjesmarrës edhe çiklistët e Vllaznisë të cilët do të konkurrojnë në tre kategori, atë të të rriturve, të të rinjve dhe të paratërinjve.

Me të shtatë sportistët e vet, ekipi shkodran do të synojë suksesin në të tre grupmoshat sepse ka dy muaj që stërvitet me shumë seriozitet. Në kategorinë e të rriturve, emrat e njohur tashmë të Bruno Kolës, Astrit Kronajt dhe Marçelo Kolës do të tentojnë të jenë në podium si fitues të këtij aktiviteti.

E njëjta gjë edhe me të rinjtë ku Gjergj Zefi, Defrim Dholla e Samuen Bajrami do synojnë të jenë fitues të kësaj gare. Risia e Vllaznisë në këtë aktivitet të parë për vitin 2019 është pjesmarrja e sportistit 14 vjeçar Mateo Balaj në garën e grupmoshës së kadetëve.

Ndonëse do jetë pjesmarrja e tij e parë në një garë zyrtare, ky çiklist pritet të bëjë një prezantim të mirë dhe pse jo edhe të synojë fitoren sepse ka të dhëna shumë të mira.

Trajneri Leonat Kola është i bindur se Vllaznia do ta thotë ashtu si duhet fjalën e saj edhe në garat e këtij viti, ndonëse vështirësitë vazhdojnë të jenë të mëdha si për bazën materiale ashtu edhe për mungesën e ndonjë sponsori sepse siç dihet, çiklizmi është një sport i kushtueshëm dhe do shumë mbështetje.

Megjithatë, deri më sot, ky ekip ka arritur shumë suksese vetëm falë pasionit të këtyre sportistëve dhe trajnerit të tij, ndërkohë që nuk ka munguar edhe mbështetja morale e dy veteranëve të këtij sporti, Brahim Syka e Hilmi Lala. Megjithatë, ajo nuk mjafton dhe padyshim që gjetja e një sponsori konsiderohet domosdoshmëri për të patur një vijueshmëri suksesesh për Vllazninë në çiklizëm.
© shkodrasport.com