Ora 14:00 e ditës së nesërme do të ballafaqojë në stadiumin “Loro Boriçi” dy ekipet e Vllaznisë dhe Kastriotit. Miqësorja në fjalë do të jetë në kuadrin e përgatitjeve që po bëjnë dy skuadrat për pjesën e dytë të sezonit.

Për Vllazninë, kjo miqësore vjen në prag të sfidës ndaj Partizanit, e cila vlen shumë për të krijuar një farë ideje mbi gjendjen e ekipit kuqeblu.

Kjo është edhe miqësorja e vetme në këtë periudhë përgatitore për Vllazninë dhe prandaj, trajneri Mirel Josa ka rastin më të mirë për të hedhur në fushën e lojës titullarët kryesorë që ka planifikuar të aktivizojë nga minuta e parë në formacionin anti-Partizani, sfidë që do të luhet javën e ardhshme.

Ndërkohë, sa i takon mungesave për arsye dëmtimi, të cilat ishin të shumta në vitin e kaluar, tashmë situata duket më komode. Të gjithë futbollistët janë rikthyer të jenë të gatshëm për stafin teknik, me përjashtim të qendërmbrojtësit malazez Darko Bulatoviç, një mungesë që shqetëson së tepërmi trajnerin Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI