Pas disa ditëve pushim dhe të tjera me stërvitje individuale, nga e diela ekipi i Vllaznisë do të grumbullohet i gjithi dhe do të vijojë me procesin e zakonshëm stërvitor për t’u bërë gati për startin e gjysmës së dytë të sezonit.
Në orën 14.00 në fushën sportive të Golemit, do të zbresë trajneri Mirsad Jonuz bashkë me ndihmësit e tij Osja e Lekiqi ndërkohë që para tyre pritet të jenë të gjithë futbollistët që kanë qenë pjesë e skuadrës deri në fundin e dhjetorit.
Kjo ngaqë, pavarësisht fjalëve për largimin e disa lojtarëve që kanë rezultuar të panevojshëm, ende nuk ka asnjë vendim nga ana e klubit në lidhje me to. Për këtë arsye, ata pritet të jenë të pranishëm në stërvitje dhe mbase në ditët e ardhshme, mund të ketë zhvillime të reja rreth tyre.
Nga ana tjetër, në stërvitjen e së dielës nuk pritet të ketë ndonjë ardhje të re. Ndonëse po përfliten emra të ndryshëm lojtarësh për t’u veshur kuqeblu, deri në këto momente nuk ka asnjë zyrtarizim. Kjo situatë padyshim që nuk do t’i pëlqejë trajnerit Jonuz që ka kërkuar katër përforcime dhe konkretisht, një qendërmbrojtës, një mesfushor organizator dhe dy sulmuesë.
Deri më tani, asnjëri prej tyre nuk duket dhe kjo padyshim që përbën një problem për stafin teknik sepse nuk ka shumë kohë në dispozicion për të bërë ndryshimet.
Ndeshjet fillojnë shumë shpejt dhe më 22 janar ekipi duhet të jetë në fushë për të zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit, atë ndaj Flamurtarit. Se çfarë do të ndodhë, mbase duhet pritur edhe 2-3 ditë, periudhë derisa ekipi të niset jashtë vendit për fazën përgatitore.
www.shkodrasport.com