Ndonëse të gjithë konsideronin favorit Luftëtarin ngaqë luante në fushën e tij, Pogradeci i Samuel Nikaj ia ka dalë të marrë barazimin brenda në Gjirokastër dhe si rrjedhojë të mbajë vendin e parë në renditje duke qenë vetëm një hap larg arritjes së objektivit, ngjitjes në kategorinë e parë.

Ndeshja ka qenë shumë e tensionuar për vetë rëndësinë e saj dhe pavarësisht rasteve të krijuara, sidomos nga vendasit, pjesa e parë është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0.

Krejt ndryshe do të ndodhte në të dytën. Madje do të ishin miqtë nga Pogradeci të cilët do të kalonin të parët në avantazh me anë të Jurgen Peqinit në minutën e 51-të. Një gol që i dha qetësinë liqenorëve, megjithatë gjirokastritët nuk u pajtuar me këtë gjë dhe u hodhën në sulm për të barazuar shifrat.

Dhe në fakt ia dolën duke shënuar me anë të Miranit në minutën e 68-të. Pas këtij momenti loja është nxehur por nuk ka patur gola të tjerë dhe gjithçka është mbyllur në barazim 1-1. Rezultat ky që ka sjellë festën në kampin pogradecar të cilët janë vetëm një hap larg objektivit. Duhet thëne se ka qenë një 90 minutësh i tensionuar ku arbitri Juxhin Xhaja është detyruar të nxjerrë plot 12 herë kartonin e verdhë nga xhepi i tij.

Në javën e fundit, Pogradeci do të presë në shtëpi ekipin e Turbinës, në një ndeshje praktikisht të lehtë, ndërkohë që Luftëtari do të luajë në Sarandë ndaj Butrintit vendas. Megjithatë tashmë të gjitha gjasat janë që skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj të jetë kampionia e këtij grupi dhe të ketë fituar të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë sezonin e ardhshëm./shkodrasport.com/