Në një intervistë dhënë ish-shokut të tij të skuadrës te Barcelona, Gerard Pique, për llogari të revistës “The Players Tribune”, Neymar Junior kujton momentin më të keq në karrierën e tij. “Ylli” brazilian u referohet finaleve të Botërorit 2014, pikërisht dëmtimit të rëndë që pesoi në çerekfinale me Kolumbinë, pas goditjes që mori nga Zuniga. Goditje që e detyroi madje të mos luante dy ndeshjet e fundit të evenimentit që u zhvillua në Brazil.

“Ai dëmtim ka qenë momenti më i keq i jetës sime. Ato ditë kam qarë pa pushim, kanë qarë madje edhe prindërit e miqtë e mi. E gjitha familja ime.”

Neymar shpjegon që ajo goditje e Zunigës për pak e la të paralizuar.

“Nuk mund të ngrija as këmbët, nuk mund t’i lëvizja. Mjeku me prekte këmbët, por unë nuk ndieja gjë. Pas vizitave më të specializuara, mjeku më tha se do të ecja sërish, por për mua Botërori kishte përfunduar. Nëse goditja do të kishte qenë 2 centimetra më në krah, do të kisha mbetur i paralizuar.”