Vllaznia U17 është mundur sot nga Shënkolli me rezultatin 1-0, teksa ka pasur kundër edhe gjyqtarin e ndeshjes. Ato çfarë ndodhën në ndeshjen Shënkolli-Vllaznia për grupmoshën U17, sa i takon gjykimit të ndeshjes, kanë irrituar drejtuesit e Akademisë Vllaznia.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, ka shfaqur pretendimet e tij për gjykimin e arbitrit në këtë ndeshje. Sipas tij, këto lloj arbitrash ta prishin atmosferën e një ndeshjeje.
Pikërisht për këtë arsye, por edhe për faktin se kjo nuk është një histori e re, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, është duke hartuar një ankesë zyrtare në adresë të FSHF, teksa ditën e nesërme pritet të ketë edhe një takim në FSHF për këtë problem.
“Më vjen shumë keq që një gjyqtar i Superiores shkon deri në atë pikë që duhet t’i vijë turp që është pjesë e sportit. Nuk ka asnjë rëndësi rezultati, sepse Shënkolli ka pasur gjithmonë ekipe shumë të mira vitet e fundit me shumë lojtarë cilësorë, por lojtarët të përdorin atë fjalor në sy të trajnerëve dhe stafit është shumë e trishtë.
Më vjen keq sepse fëmijët acarohen deri në atë pikë sa mund të kenë dëmtime të mëdha për karrierën e tyre. Këto lloj gjyqtarësh ta prishin atmosferën e një derbi.
Kemi bërë një relacion që ky gjyqtar mos të arbitrojë më akademinë tonë. Nesër do të kemi takim në FSHF për këtë problem.
Asnjerit nuk i intereson që fëmijët dhe prindërit të bëjnë sherre dhe t’i mbartin ato. FSHF duhet të ndërhyjë me gjetjen e gjyqtarëve, ku unë personalisht jam që të gjithë vitin të arbitrojnë femrat, sepse janë shumë profesioniste dhe shumë korrekte. Gjithashtu, shumë sociale për këto mosha.
Më vjen keq se çdo ndeshje që luajmë jashtë me akademinë tonë, kundërshtarët luajnë si me qenë ekipe serbe dhe jo si akademia më e mirë në Shqipëri. Eshtë nder të luash kundër akademisë tonë, si ekipi i parë që ka marrë pjesë në dy Champions League, si edhe akademia më e titulluar në 10 vitet e fundit.
Me 36 kupa, kampionë e Kupë Shqipërie, profesionistë dhe amator. Me lojtarët më të mirë që luajnë atëherë dhe tani në Superiore, si Gurishta, Hakaj, Krymi, Çinari, Fangaj, Kruja, Hasani, Balaj etj. Akademia Vllaznia është monument kulture në Shqipëri dhe duhet të trajtohet si e tillë”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI