Barazimi me Partizanin ka lënë një shije jo fort të mirë te Vllaznia, së bashku me mllefin për albitrimin të shoqëruar me polemikat për atë karton të kuq të padhënë për Partizanin, por mbi të gjitha edhe me një distancë prej 12 pikësh nga kreu i klasifikimit.

Një barazim që nuk i kënaq shkodranët, megjithatë mbetet për t’u kapërdirë për mënyrën se si erdhi, teksa tashmë bëhet një situatë e vështirë edhe për sa i përket garës së shkodranëve në luftën për titullin kampion.

Kështu pas kësaj ndeshjeje me Partizanin, Vllaznia mbetet në vendin e katërt në kuotën e 34 pikëve. Shkodranët janë shumë larg pritshmërive që nisën kampionatin, ku pretendimet ishin të luftonin për titull kampion.

Diferenca me Tiranën është 12 pikë, por megjithatë në kampin kuqeblu kanë detyrën të besojnë dhe mbi të gjitha të luftojnë. Normalisht tani kampionati nuk varet më nga këmbët e tyre, por fati i Vllaznisë në këtë sezon padyshim që po.

Skuadrës së Brdariç i duhet të luftojë ndeshje pas ndeshje pa parë nga rivalët, me bindjen se gjithçka mund të ndodhë, diçka që për fat të keq e provuan vetë sezonin e kaluar, kur shpërdoruan një avantazh të konsiderueshëm. Përtej titullit si objektiv, steka e ambicieve nuk duhet ulur edhe pse në një garë të fortë si kjo, një lloj “dorëzimi” mund të rezultojë fatal.

Europa mbetet gjithmonë një destinacion për të mos u humbur dhe mbi të gjitha pozicioni në klasifikim dikton se ndoshta tani më shumë se kurrë në Shkodër duhet të karikohen për të dhënë maksimumin. Vllaznia ndodhet 3 pikë pas Kukësit të vendit të tretë, por ndërkohë Partizani i vendit të pestë është vetëm 5 pikë larg.

Kampionati i Vllaznisë është ende i gjithi për t’u fituar dhe ky është momenti për të mos u dorëzuar. Megjithatë, me 12 pikë diferencë, a ka shpresë Vllaznia për titullin kampion apo jo? Koha dhe ndeshjet do ta tregojnë!

Maringlen ZHIVANI