Drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, në emisionin “SportZone” në MCN TV, duke komentuar largimin e trajnerit Elvis Plori, u shpreh se nuk u shkarkua, por u largua vetë, duke vendosur skuadrën para vetes.

Neziri deklaroi se Plori bëri një punë të mirë te shkodranët, pasi e mori ekipin në moment të vështirë dhe ia doli ta nxjerrë nga kriza.  

Ka qenë një bashkëbisedim i trajnerit Plori me presidentin Xhaferi, për të mirën e klubit. Nuk ka pasur largim, por për t’u bërë më e mira për Vllazninë. Plori është në organikën e Vllaznisë. Plori ka vendosur Vllazninë, para egos personale. Janë shumë të paktë trajnerët që vendosin ekipin para vetes.

Unë mendoj se ai ka bërë një punë shumë të mirë. Plorit i është dashur të merret me punë që nuk i takonin te Vllaznia. Me ardhjen e Josës, tashmë duam të marrim Kupën dhe të jemi gati për sezonin e ardhshëm.

Plori e mori Vllazninë në kushtet më të vështira. Mori përsipër nxjerrjen e ekipit nga kriza dhe mendoj se ia ka dalë. Josën e duan në Shkodër dhe mendoj se është bërë zgjedhja e duhur.

Jam i mendimit që shumë lojtarë te Vllaznia nuk e kanë treguar veten. Rezultatet nuk janë aty ku duhen. Në sezonin e kaluar luftuam deri në fund për titull dhe pritshmëritë ishin të mëdha. Nëse i dëgjon intervistat, Plori asnjëherë nuk i ka shitur lojtarët e vetë. Disa lojtarë nuk e kanë bërë punën e tyre.

Neziri u shpreh se Vllaznia është favorite në finalen e Kupës ndaj Laçit, ndërsa u shfaq i bindur që shkodranët do të luajnë në Europë.

Ne jemi favoritë në Kupë ndaj Laçit dhe do jemi ekipi i parë në Shqipëri, që fitojmë Kupën dy sezone radhazi. Plori ka vendosur klubin para vetes. Nuk është shkarkuar. Nëse do donte, Plori mund ta kishte mbajtur ekipin deri në fund të sezonit.

Shkodra dhe Vllaznia janë mësuat me presion. Luajmë në Kupë dhe të jeni të bindur që Vllaznia do të jetë në Europë.

Pas finales së Kupës, do të bëhet një analizë për sezonin e Vllaznisë. Ambienti është i mrekullueshëm. Nuk iu ka munguar mbështetja, për të bërë më të mirën. Çdo lojtar e di vetë, sa ka marrë dhe sa ka dhënë për fanellën”.