Atalanta po shijon momentin magjik mes garës për një vend në Champions League dhe shansit për të shkuar në finalen e Kupës së Italisë.

Por, veç fushës, ka edhe diçka tjetër që e kënaq jo pak klubin bergamask: vlera e lojtarëve të Atalantës rritet çdo ditë, falë punës së trajnerit Xhan Piero Gasperini dhe stafit të tij. Çdo lojtar vlen tani shumë më shumë se në momentin e blerjes.

Janë të paktën 9 lojtarë që kanë arritur në kuota të larta, duke nisur nga portieri Golini, i ardhur në ekip për 4.5 milionë dhe tani vlen rreth 15 milionë. Mançini është shembulli më i mirë për mbrojtjen, pasi nga 1 milion, tani vlen 25 milionë.

Hateboer është blerë 200 mijë euro dhe vlen 20 milionë, Kastanje nga 5 ka shkuar në 15 milionë, Gosens nga 900 mijë në 6 milionë euro.

Edhe një lojtar si De Run, i shitur dhe i blerë më pas nga Midëllsbrou për 13.5 milionë, tani vlen 15 milionë. Freuler? Zvicerani i blerë për 800 mijë euro, vlen tani 20 milionë.

Iliçiç nuk është më i ri dhe ato 5.5 milionë të shpenzuara për ta marrë nga Fiorentina ia kanë vlejtur. Tani slloveni vlen shumë më shumë me formën që ka. Duvan Zapata, i blerë për 26 milionë euro, vlen 50 milionë euro.

Një dëshmi e qartë për shpërthimin mental, teknik dhe fizik të lojtarëve të Atalantës. Edhe mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti, sigurisht që ka një vlerë më të lartë në këtë moment, por shifra e saktë nuk jepet. Gasperini është një mjeshtër për të rritur lojtarët që stërvit në çdo aspekt. / Vipsport/