Ndonjëherë makina është mjet pune, ndonjëherë është edhe çështje luksi apo pasioni, por meqenëse shpeshherë bëhet objekt diskutimi, jo vetëm për personazhet VIP të sportit brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj, këtë herë “Panorama Sport” do t’ju shuajë kuriozitetin, duke listuar se çfarë lloj automjetesh kanë trajnerët e Superiores.
E nisim me Orges Shehin. Trajneri i Tiranës përdor një makinë tip “Ford Mondeo” e vitit 2015.
Ndërsa trajneri Edi Martini u kthye nga Shkodra për të marrë drejtimin e Teutës edhe një herë me një fuoristradë të sigurt, si “Volvo”.
Ndërkohë, Bledi Shkëmbi deri para pak ditësh përdorte një “Mercedes Benz GLK” të viteve të fundit dhe mësohet që e ka shitur, por kjo nuk ka lidhje me krizën që po kalon Dinamoja.
Mes tyre ka edhe një kuriozitet, që është se Mirel Josa aktualisht nuk ka një makinë, ka pasur deri para pak kohësh, por e ka shitur me idenë për ta ndërruar, duke blerë një tjetër dhe sot po drejton një biçikletë e po i merr të gjithë përpara.
J
Vazhdojmë me trajnerin e Vllaznise Brdaric, i cili ka zgjedhur një “Ford Fiesta” të vitit 2016.
Ndreu i Kastriotit përdor një markë gjermane si “Volkswagen Golf 6”.
Tekniku i Partizanit, Ilir Daja, përdor një automjet tip “Mercedes-Benz E Class” të 2014-s.
Trajneri i ardhur së fundmi në stolin e Egnatias, shqiptari i Maqedonisë, Zekirija Ramadani, ka ardhur në Shqipëri me një “Mercedes-Benz” 2017.
Në Korçë, Migen Memelli ka një makinë tip “Audi A4” të vitit 2011.
I fundit në listë është trajneri italian i Kukësit, Diego Longo, që është shprehur se përdor një makinë elektrike të markës “Kia”.