Kategoria Superiore vi jon të humbasë me parametra zero protagonistët absolutë të sezonit të fundit. Bëhet fjalë për largime falas në klube jashtë Shqipërisë të lojtarëve cilësorë të kampionatit, pikërisht ata që shënuan më shumë gola dhe morën përdore skuadrat drejt objektivave madhorë.
I radhës është Dejvi Bregu, “Këpuca e Artë” e sezonit 2020-2021, i cili dje u zyrtarizua te klubi i Ligës së Parë turke, Boluspor. Kur bëhet fjalë për një prej lojtarëve më të mirë të Superiores në katër sezonet e fundit, natyrisht që duket absurd fakti që transferimi i tij është falas. Mirëpo, Teuta kampione e Shqipërisë nuk e kishte më nën kontratë vlonjatin dhe kësisoj e humbi atë pa marrë nga turqit një dëmshpërblim për kartonin.
Në një vëzhgim të bërë nga “Panorama Sport” për lëvizjet e deritanishme në merkato, rezulton se 15 lojtarë të Kategorisë Superiore, ndër më të mirët në skuadrat e tyre dhe që kanë qenë në krye të listës së golashënuesve, janë larguar në vende si Turqia, Rumania, Hungaria, Kazakistani dhe deri në Katar apo Malajzi.
Por, sa kanë përfituar klubet nga këto 15 transferime zyrtare? Mund të duket qesharake, por vetëm Kukësi dhe Partizani kanë arkëtuar nga këto lëvizje, edhe pse bëhet fjalë për shifra modeste. Klubi verilindor fitoi rreth 150 mijë euro për sulmuesin Patrik Eze, i cili pasi shënoi 15 gola, firmosi një kontratë faranike me Al-Ahli SC në Katar.
Ndërsa të kuqtë e kryeqytetit përfituan 100 mijë euro për transferimin e Esat Malës te klubi i Superligës turke, Giresunspor. Mes 15 lojtarëve të transferuar jashtë Shqipërisë deri më tani, përveç golashënuesve më të mirë si Bregu dhe Eze, ka emra nga më cilësorët e kampionatit të fundit si Jasir Asani, Eraldo Çinari, Esat Mala, Idriz Batha, Kirian Nuabueze, Esin Hakaj, Eneo Bitri, Elton Kale etj. Të gjithë këta braktisën Superioren, së pari për një anë financiare shumë më të mirë, por edhe për një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre drejt kampionateve me nivel më të lartë.