Vllaznia e futsallës (minifutbollit) nuk e ka shijuar fitoren e parë në kampionat në javën e dytë të tij. Në ndeshjen e zhvilluar pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, shkodranët janë përballuar me ekipin tiranas “Ali Demi” dhe në fund është sigluar barazimi 5-5. Në fakt, ka qenë një ndeshje që duhej të ishte fituar nga Vllaznia e cila ka qenë në udhëheqje të rezultatit deri 23 sekonda para fundit të ndeshjes kur kundërshtari ka shënuar golin e pestë dhe ka barazuar shifrat. Golat për Vllazninë në këtë ndeshje janë shënuar nga Eder Meta, Toni Ndoci, Eri Mandi dhe dy gola nga Besford Koklaj. Nga sa shihet, ky i sivjetmi do jetë një kampionat shumë i fortë pasi të gjitha skuadrat janë aty- aty dhe nuk ka diferencë të madhe mes tyre. Në ndeshjet e javës së tretë, që do luhen të dielën e ardhshme në Durrës, Vllaznia do të ndeshet me skuadrën kryesuese të kampionatit, Tiranën. Pritet një përballje e fortë dhe ndonëse luhet me skuadrën e vendit të parë, shkodranët e drejtuar nga trajneri Safet Osja janë të vendosur për të marrë pikë.
www.shkodrasport.com