Sektori i Edukimit në FSHF përmbylli një tjetër kurs të rëndësishëm për trajnerë në Shqipëri. Bëhet fjalë për kursin e nivelit UEFA B, teksa ka përfunduar me sukses edicioni i tretë në radhë i këtij kursi në zonën e veriut, në Shkodër.

Ky kurs nisi më 14 shkurt të këtij viti dhe zgjati për gati 5 muaj, teksa të gjitha leksionet janë zhvilluar në Shkodër. Një risi e FSHF-së, që i jep mundësinë trajnerëve të “zhvillojnë” kursin në zonën e tyre dhe jo të ndjekin kursin në Qendrën e Ekipeve Kombëtare.

Në seancat mësimore të këtij kursi morën pjesë 22 ish-lojtarë dhe lojtarë aktualë, mes tyre edhe emra mjaft të njohur dhe me kontribut të vyer për Kombëtaren Shqiptare si ish-kapiteni Mërgim Mavraj apo mesfushori aktual Ermir Lenjani, por edhe lojtarë si Gentjan Muça, ish-kapiten i Tiranës, Andra Nikolla, ish-futbollist i Partizanit.

Jane diplomuar me kete license edhe emra te njohur te futbollit te Shkodres dhe Malesise se Madhe si Arsen Hajdari, Erind Selimaj, Ergi Borshi, Valmir Kurti, Ergys Mehja, Denis Çokaj dhe Armando Simoni.

E gjithë kurrikula që ndoqën trajnerët tashmë të rinj, është përgatitur nga UEFA në bashkëpinim me Sektorin e Edukimit në FSHF.Kjo e premte shënonte edhe ditën e fundit të kursit për 22 të regjistruarit, të cilët iu nënshtruan një testi final, ndërsa më pas patën mundësi të tërhiqnin edhe kartën e licencimit, përmes një ceremonie modeste të zhvilluar në Shkodër.

Në këtë ceremoni u prezantua edhe Drejtori i ri i Shkollës së Trajnerëve, Sulejman Starova, një emër mjaft i njohur dhe me eksperiencë të gjatë në trajningun shqiptar. Ai u uroi shumë suksese të gjithë të diplomuarve dhe i ftoi të ndjekin dhe të zhvillojnë rrugën e tyre si trajnerë në Shqipëri.