Françesko Moriero bëhet gati të zbarkojë në Shqipëri për të nisur një etapë të re të karrierës së tij. Këtu, ai do të drejtojë Dinamon, duke pasur në krah një tjetër emër të njohur të futbollit italian si Fabricio Mikoli. Një projekt ambicioz, siç ka shpejguar ai në “Libero”, duek treguar se pse pranoi ofertën që i mbërriti nga Shqipëria.
“Futbolli italian na kishte harruar pak, por për fat kemi gjetur një sipërmarrës serioz e ambicioz si Marko Pontreli. Ndaj zgjodha bashkë me Mikolin që të rifiloja nga Shqipëria dhe Dinamo Tirana: Është një projekt dyvjeçar me objektivin për të kthyer në nivelet më të larta kombëtare këtë klub. Jashtë Italisë mund të punohet më qetësisht sot”, tha ai.
Ndërkohë, në intervistën e tij nuk munguan edhe vlerësimet për personazhe përkrah të cilëve kishte luajtur për shumë vite. “Më i miri ishte Ronaldo, “Fenomeni”. Në futbollin modern nuk është askush si ai, qartësisht lojtrai më i fortë me të cilin kam luajtur, poshtë tij vë Baxhon e Totin, por Ronaldo ishte superior ndaj Mesit e Kristianos. Ajo që bënte dhe me atë shpejtësi, nuk e kam parë më te askush tjetër”, tha ai.
Nuk mund të mungonte as komenti për Interin ku ai ka luajtur për tre vite. “Interi për titulli? Duke njohur Antonion, do t’i ketë idetë e qarta prej kohësh. I mungon një mesfushor para mbrojtjes që dikton lojën dhe mund të bëjë të lëvizë ekipi.
Papu Gomez? Është një lojtar i nivelit më të lartë. Prej disa vitesh Interi nuk e ka një element të tillë në përbërje, një lojtar që mund të zgjidhë ndeshjen me një gjenialitet. Te Interi im ishte Baxhio dhe Rekoba, te i Murinjos ishte Shnajder. Papu Gomez do ishte lojtari ideal.
Unë e Konte njiheshim që kur ishim 8 vjeç. Antonio ka pasur gjithmonë mentalitet fituesi, ishte i vendosur, asnjëherë ndonjë shpërqendrim që fëmijë. Që atëherë në fushë më jepte udhëzime taktike kur luanim bashkë.
I studionte kundërshtarët dhe dinte gjithçka, na mbushte me informacione e këshilla. Pastaj donte të fitonte gjithmonë, nuk i pëlqente të humbiste as në stërvitje, Një çekan, nuk është rastësi që është një prej trajnerëve më të mirë në Europë”, ishin fjalët e Morieros. /vipsport/