Mes lojtarëve që iu skadon kontrata dhe sakrificave të tregut, disa lojtarë të Interit do të veshin fanellë të re deri në fillimin e sezonit të ardhshëm. Cilët janë ata? Zbulojini më poshtë:

1. Samir Handanovich
11 vite pas mbërritjes së tij tek Interi (ishte viti 2012 kur u zgjodh për të marrë trashëgiminë e rëndë të Julio Cesar), Samir Handanovic do t’i thotë lamtumirë Milanos. Kapiteni e ka humbur rolin e titullarit karshi Onana. Pas këtij sezoni kalimtar, slloveni do të ndahet nga klubi me të cilin është i lidhur deri në fund të këtij kampionati. Hipoteza e daljes në “pension” po merr formë gjithnjë e më shumë, për të ndjekur një karrierë si trajner aspirues.

2. Danilo D’Ambrosio
Një tjetër veteran zikaltër do të largohet gjatë verës. Danilo D’Ambrosio mbërriti tek Interi një vit e gjysmë pas Handanovic, në janar 2014, dhe do të mbahet mend nga tifozët si profesionist shembullor, i paçmuar kur është thirrur “nën armë”. Kontrata i skadon në fund të këtij sezoni dhe nuk do të rinovohet.

3. Milan Skriniar
Nuk ka më dyshime, prej disa kohësh. Milan Skriniar nuk do të jetë më lojtar i Interit. Marrëveshja për rinovimin e kontratës nuk është arritur, sllovaku tashmë është drejt Parisit, pa surpriza. Mjafton të kuptojmë se kur do të ndodhë ndarja: në fund të sezonit apo tashmë në janar, një zgjidhje në këtë pikë e vlerësuar nga zikaltrit, por që do të kërkonte një investim nga PSG. 10 milionët që po flasim nuk konsiderohen të mjaftueshme. Tani ose më vonë, pas pesë muajsh do të marrë fund idili mes Skriniar dhe Interit. Një humbje e rëndë.

4. Denzel Dumfries
Holandezi është rikthyer me mendjen e tij diku tjetër pas Botërorit të shkëlqyer të luajtur me Holandën. Ai u ul në stol nga Darmian, më i besueshëm dhe konstant. Toka e premtuar është gjithmonë e njëjtë: Anglia. Kërkohen blerës për të. Ish-lojtari i PSV Eindhoven do të shitet deri më 30 qershor, Interi ka nevojë për para. Nuk ka asnjë dyshim për largimin e tij.

5. Robert Gagliardini
Një tjetër lojtar që do të thotë lamtumirë në fund të kontratës është Roberto Gagliardini. Nuk ka mundësi rinovimi as për të, në një repart mesfushe që do të konfirmohet në bllok. Për të ka ofertë nga Nottingham Forest.

6. Henrique Dalbert
Në korrik ai pësoi një dëmtim të rëndë në gjurin e majtë, dëmtim të ligamentit të kryqëzuar anterior. Një “nokaut” që cënoi çdo mundësi transferimi nga Interi, i cili do ta humbasë lojtarin falas në qershor.

7. Joaquin Correa
“Tucu” nuk ia doli ta meritonte Interin, nuk iu afrua as afër qëllimit për të cilin u ble. Në fund të sezonit, Correa do të ketë në qafë shenjën “shitet”. Sevilla mund të jetë destinacioni i sulmuesit të ardhur nga Lazio, krejt në hije te zikaltrit.