Dje kemi shkruar për sakrificën e bërë nga futbollisti i ekipit Vllaznia U17 Enes Papaj i cili ditën e premte bashkë me shumë bashkëmoshatarë të tij janë helmatosur në Postribë dhe kanë përfunduar në ambjentet e Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Ndonëse në një gjendje jo të mirë shëndetësore, ai sakrifikoi duke luajtur në ndeshjen ndaj KF Shkodra dhe madje u bë edhe protagonist me një gol shumë të bukur që shënoi duke ndihmuar ekipin e tij ta fitonte ndeshjen.

Në fakt vetëm shokët e ekipit dhe trajnerët Bizi e Pirani kanë patur dijeni për gjendjen e tij shëndetësore, të tjerët jo. Dhe në fakt nuk kanë kuptuar asgjë për gjendjen e tij jo të mirë shëndetësore sepse 16 vjeçari ka bërë më të mirën në fushë.

Por sakrifica e këtij lojtari nuk do të përfundonte kështu. Nga sa na bëjnë të ditur familjarët e Enesit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së djeshme, ai ka përfunduar sërish në spital.

Temperatura e lartë e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës dhe si rrjedhojë familjarët e kanë dërguar përsëri në spital për të marrë një tjetër mjekim. Një gjendje që pritet se do të vonojë për të kaluar megjithatë Enes Papaj nuk ka dëshirë për asnjë moment të heqë dorë nga pasioni i tij i madh: futbolli.
www.shkodrasport.com