Komentatori sportiv Dritan Shakohoxha, mendon se FSHF tashmë duhet të tregojë se sa mbështet futbollin shqiptar në këtë periudhë krize. Shumë nga klubet kanë bërë apel për ndihmë pasi nuk përballojnë dot periudhën e inaktivitetit financiarisht.

“Mendoj se përveç shtetit, duhet që edhe FSHF të tregojë se është afër klubeve dhe të ndihmojë financiarisht ata. Normalisht ajo ka si detyrë të merret me ekipin kombëtar, por tashmë duhet të mendojë për futbollin shqiptar.

Ajo kishte planifikuar 2 ndeshjet miqësore tani dhe ato të ardhura, të themi 300 mijë euro që mbeten pa u shpenzuar për anullimin e ndeshjeve, mund të shkojnë te klubet për të përballuar këtë periudhë krize. Ka klube që e përballojnë se marrin rrogat nga Bashkitë, ka të tjera që janë në vështirësi e FSHF mund t’i ndihmojë në këtë mënyrë”, tha Shakohoxha në Fan Zone.

Ndërkohë, ai shpreson që kryeministri Rama të ndërrojë mendje nga ajo që ka thënë sot sa i përket ndihmës ndaj klubeve. “Uroj që të ndërrojë mendje. Edhe kur u zgjodh në fillim tha se nuk do të investoj për futbollin. Shihni se sa stadiume janë bërë, pra ka ndërruar mendje në këtë aspekt.

Shpresoj të ndodhë përsëri edhe këtë radhë pasi nuk janë vetëm klubet, poe janë me mijëra njerëz që jetojnë me futbollin e tani janë të papunë, duke filluar nga ekipet e të rinjve, trajnerë që stërvitin të rinj e nuk kanë të ardhura tani”, deklaroi Shakohoxha. /vipsport/