Ditët e fundit kur flitet për rezultatet pozitive të Vllaznisë, shumëkush meritat për këtë gjë ia faturon një personi: trajnerit Mirsad Jonuz. Një njeri që asnjëherë nuk është parë të ankohet për problematikat e punës së tij, por gjithnjë ka reflektuar pozitivitet dhe kjo ka bërë që klima në skuadër të jetë shumë pozitive dhe të gjithë të jenë të fokusuar tek rezultatet.
Së fundi, pas fitores 2-1 ndaj Kukësit, Vllaznia është ngjitur në krye të renditjes dhe padyshim që ky është një moment i mirë për këtë skuadër. E ndërsa Jonuz e ngjiti skuadrën shkodrane në krye të renditjes, në adresë të tij ka ardhur edhe një ftesë shumë origjinale nga Katari.
Akademia “Aspire”, një nga më të mëdhat dhe më të mirat në Botë, është duke zhvilluar një seminar gjatë këtyre ditëve dhe ndër të tjera ka ftuar edhe trajnerin aktual të Vllaznisë për të qenë në rolin e lektorit dhe për të referuar para të pranishmëve. Ata e kane pare te arsyeshme qe te marrin pervoje nga eksperienca e ketij trajneri i cili siç dihet, per 8 vite ka drejtuar edhe ekipet kombetare te Maqedonise.
Për këtë arsye, Jonuz duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen e kampionatit shqiptar, ka udhëtuar menjëherë pas ndeshjes me Kukësin drejt Maqedonisë dhe prej atje drejt Katarit për të marrë pjesë në këtë seminar ku dhe do i duhet të referojë.
Këtë vizitë blic 2-3 ditore, trajneri i Vllaznisë pritet ta shfrytëzojë edhe për të krijuar ura bashkëpunimi në mes klubit shkodran dhe kësaj Akademie shumë të njohur. Ndërkohë menjëherë pas përfundimit të këtij seminari, Jonuz do të udhëtojë sërish drejt Shqipërisë dhe të mërkurën pritet të jetë në krye të kuqebluve për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e rradhës me Partizanin.
www.shkodrasport.com