Mbrëmjen e sotme, është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi’ ndeshja e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Studentit. Pritej një ballafaqim i fortë ngaqë përballeshin dy prej ekipeve më të mira të kampionatit por në fakt nuk është zhvilluar një ndeshje dhe aq shumë interesante. Vllaznia nuk është ngjitur dot në nivelin që duhej të ishte dhe për rrjedhojë ndeshja është fituar nga Studenti me shifrat 3-0. Vetëm në setin e parë ka patur disi më shumë rivalitet teksa shkodranët kanë arritur të shënojnë deri në 21 pikë përballë 25 të djemve të Ylli Tomorit. Në setin e dytë rezistenca e vendasve do të bjerë dhe ata shënojnë vetëm 17 pikë ndërsa në të tretin vetëm 16 pikë. Në këtë mënyrë, takimi është fituar nga miqtë.Ata pavarësisht se nuk e kanë nisur mirë kampionatin nisur edhe nga fakti se kanë qenë të angazhuar me Ligën Ballkanike, sigurisht që kanë pretendimet e veta edhe në kampionat dhe këtë e treguan edhe sonte në ndeshjen ndaj Vllaznisë.
www.shkodrasport.com