Ka dalë si futbollist dhe si trajner nga Vllaznia, por ka provuar të luajë dhe drejtojë në disa qytete të tjera, përfshi këtu Shqipërinë dhe Kosovën. E kemi fjalën për trajnerin Samuel Nikaj.

Aktualisht, Nikaj është trajner i Vushtrisë, skuadër që ka marrë përsipër ta ngjisë në Superligën e Kosovës, por kur flet për futbollin, ai nuk mund të qëndrojë pa shprehur mendimin e tij edhe për Vllazninë, skuadrën e tij të zemrës.

Ai thotë se shkodranët kanë një traditë të mirë kundër Partizanit, teksa ata kanë dy vite pa humbje ndaj të kuqve, ndërsa u shpreh besimplotë se Vllaznia do të kualifikohet për në finale.

“Kemi një traditë të mirë kundër Partizanit. Kemi dy vite pa humbur ndaj tyre. Madje, edhe në periudhën që kam qenë zv/trajner te Vllaznia, jemi kualifikuar në shtesë me barazim 0-0. Në Tiranë kemi fituar 0-1 me gol të Tafilit, në shtesë.

Edhe në ndeshjet e kampionatit, rezultatet i kemi pasur gjithmonë më mirë se Partizani. Ka të bëjnë ndonjë herë edhe tradita.

E shoh si ndeshje që skuadra duhet të qëndrojë në ekuilibër, sepse nuk duhet të hyjë ta fitojë patjetër, sepse është pak problem. Mendoj që ka për të shkuar me një gol.

Mendoj që edhe tradita, edhe këto vitet e fundit, kemi pak fat dhe besoj se do kualifikohemi për finale”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI