Kasandra Kovaçi është njëra nga vajzat e sportit të xhudos, që këtë vit ka arritur të bëjë një paraqitje shumë të mirë, ku ka spikatur me medaljet e saj në peshën e vet, në grupmoshën ku ka konkurruar në disa turne të rëndësishëm. Ajo është vetëm 16-vjeçe, por ka arritur të shpallet gjatë këtij viti kampione kombëtare dhe fituese e Kupës së Shqipërisë për të rriturat.

Po ashtu, ka marrë medalje të argjendtë në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Pejë të Kosovës. Për këto arritje, por edhe të tjera, gazeta “Shkodra Sport” vendosi ta nderojë me çmimin “Talentja e Vitit 2022” xhudisten Kovaçi.

Kjo e fundit, në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh se ndihet e vlerësuar për këtë çmim të fituar prej saj, ndërsa theksoi se ky vlerësim i jep një shtysë të madhe asaj që të punojë më shumë për të ardhmen.

“Vlerësimi nga “Shkodra Sport”? Ishte kënaqësi e madhe për mua që u vlerësova si një ndër personazhet më të mirë të vitit 2022. Ky vlerësim më jep shtysë që të punoj më shumë në të ardhmen.

Bilanci i këtij viti që po lëmë pas? Viti 2022 ka qenë një vit para-përgatitor për vitin e ardhshëm. Këtë vit nuk kanë munguar as humbjet, as fitoret.

Urimi për festat e fundvitit? Uroj që vitin e ardhshëm të ketë sa më shumë talente të tjera në sporte të ndryshme dhe iu uroj një vit të ri sa më të mbarë.

Objektivat dhe synimet për vitin 2023? Endrrat janë të njëjta si ky vit, pra të marr medalje në turneun e Ballkanit, me energji të reja dhe forca të reja”,-mbylli prononcimin e saj për “Shkodra Sport”, xhudistja 16-vjeçare, Kasandra Kovaçi.
Maringlen ZHIVANI