Klubi i Teutës ka dhënë një lajm të mirë për tifozët durrsakë, të cilët do të rikthehen të shohin në “Niko Dovana” ekipin e zemrës pas më shumë se 8 muajsh.
Teuta-Inter Esclades (0-2), e luajtur më 22 korrik të vitit 2021 në Conference League, ishte përballja e fundit që ekipi i Teutës ka luajtur në shtëpi.
Kampionët në fuqi të Shqipërisë ndërruan tapetin, punimet kanë përfunduar me sukses dhe gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në Durrës.
Laçi është rivali i djemve të Renato Arapit për një biletë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sfida e parë do të luhet të mërkurën (30 mars) në “Niko Dovana”, ndërsa e kthimit më 13 prill në Kurbin.
“Të dashur tifozë, pas thuajse 8 muajsh rikthehemi për të luajtur në ‘Niko Dovana’. Teuta ka nevojë për mbështetje dhe të mërkurën do të kemi mundësinë dhe kënaqësinë të luajmë me praninë tuaj në stadium. Prania juaj në stadium e bën më të bukur këtë ndeshje, e cila është e para për këtë sezon në Durrës.
Futbollistët kanë nevojë për mbështetje dhe padyshim këtë të mërkurë të gjitha rrugët të çojnë në ‘Niko Dovana’ mbështetja e tifozëve, do të jetë një armë shtesë për të thyer Laçin. MOS MUNGO”, lexohet në postimin zyrtar të klubit bregdetar.